Vlora mbeti papritur pa kryebashkiak, pasi kreu aktual dha dorëheqjen – thuhet “për arsye personale”, por qytetarët mendojnë se arsyeja ishte më shumë “për arsye vlonjate”. Në një qytet ku rrugët hapen çdo verë dhe mbyllen çdo dimër, dorëheqja erdhi si një shaka që askush nuk e priti, por të gjithë e kuptuan.
Në zyrat e bashkisë, tavolina e madhe e kryetarit është lënë bosh, ndërsa thuhet se mbi të u gjetën vetëm tre dosje: një për tendera të ngecur, një për festivalin e radhës të peshkut në grilë, dhe një me shënimin “Mos më kërkoni ujë, nuk jam hidrovor!”.
Partitë tashmë kanë filluar të ngrohin motorët për zgjedhjet e nëntorit. Disa thonë se do sjellin kandidatë të rinj, të tjerë thonë se mjafton të gjejnë dikë që di të parkojë makinën në Lungomare pa bllokuar gjysmën e rrugës.
Nga ana tjetër, qytetarët kanë kërkesa të thjeshta: rrugë që nuk hapen çdo vit, ujë që nuk ikën çdo ditë, dhe një kryetar që nuk jep dorëheqje para kohe.
Vlora kështu mbetet “pa kapiten”, por me humorin që s’ka për t’i munguar kurrë. Se fundja, edhe kur s’ka kryetar, ka gjithmonë një patronazhist gati të të thotë për kë do votosh.