Vlora, qyteti ku gjithçka fillon… por s’mbaron kurrë!

Vlora është i vetmi vend ku mund të shohësh një rrugë që hapet sot dhe nesër s’është më aty – sepse ose është mbuluar prapë me baltë, ose është harruar projekti. Banorët e quajnë këtë fenomen “magjia vlonjate”: hapim rrugën, s’e mbyllim dot.

Kryetari i bashkisë premton çdo vit “rrugë moderne europiane”, por në praktikë, europianët e vetëm që shihen janë turistët e humbur që s’dinë nga t’ia mbajnë kur bien në gropat e asfaltit.

Nga ana tjetër, bizneset lokale kanë gjetur mënyrën e tyre për të përfituar. Një lokal në Lungomare reklamoi:

“Parko makinën në gropë, merr një kafe falas. Nëse makina ngelet aty, kafen e dytë ta sjellim me shërbim në vend!”

Edhe transporti publik është një aventurë më vete. Autobusi i orës 08:00 niset në 08:45, por shoferi thotë me krenari:

“Më mirë vonë, se kurrë. Ky është slogani ynë!”

Megjithatë, vlora s’ka të krahasuar. Askund tjetër nuk gjen njerëz që shkojnë në plazh edhe në tetor, sepse “po s’kaluam në det, s’na shkon jeta mbarë”. Askund tjetër nuk gjen qytetarë që ankohen për gjithçka, por në fund të ditës thonë:

“Vlora është Vlora, mo burrë! Këtu ka shije edhe balta!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *